PYETJE TË SHPESHTA RRETH 20 % - shit





Pyetjet e juaja rreth shpërndarjes së mjeteve të 20 %-shit, mund ti adresoni në:

 

E-mail: info20p@pak-ks.org  

 

 

 

      •   A jam në listën e punëtorëve të kualifikuar?

Agjencia Kosovare e Privatizimit i publikon listat e punëtorëve të kualifikuar në ueb faqen zyrtare: www.pak-ks.org, ku secili punëtorë i ndërmarrjeve shoqërore mund ta verifikoj nëse është (apo jo) në listën e punëtorëve. Përveç kësaj, AKP i publikon listat fillestare dhe ato përfundimtare në dy gazeta në gjuhën shqipe dhe dy gazeta në gjuhën serbe.


 Kam punuar shumë vite më parë në ndërmarrje, ndërsa emri im nuk është përfshirë në listën preliminare/fillestare të punëtorëve të kualifikuar, pse?

Sipas Rregullores së UNMIK-ut 2003/13 (nenit 10.4), punëtori ka të drejtë të marrë një pjesë të 20 % të të hyrave nga shitja nëse ai/ajo ka qenë i evidentuar si punëtor i NSH-së së lartpërmendur në kohën e privatizimit ose likuidimit (cilado që ka ndodhë më parë) dhe që ka qenë në listën e pagave të NSH-së të paktën për tri vite. Punëtori i cili nuk e plotëson këtë kriter megjithatë mund të ketë të drejtë nëse diskualifikimi i tij/saj është bërë në bazë diskriminuese.

 

•  Si  është e mundur që një numër i punëtorëve është përfshirë në listë, ndërsa një numër i punëtorëve ka mbetur jashtë listës?

Ata punëtorë që i plotësojnë kriteret e parapara me ligj, vendosen në listë, të tjerët kanë të drejtë të parashtrojnë ankesë.  

 

•  Kush e ka përgatitur listën?

Lista e punëtorëve të kualifikuar përgatitet nga udhëheqja e Ndërmarrjes Shoqërore bazuar në legjislacionin në fuqi, dhe jo nga AKP-ja.

 

•  Unë jam në pension, por nuk isha në listën e punëtorëve. A kam të drejtë unë me statusin e pensionistit të përfitoj nga pjesa e 20 %?

Shuma e 20% u takon punëtorëve që kanë status punëtori në kohën e privatizimit të ndërmarrjes. Të gjithë ata që nuk kanë status punëtori nuk mund të jenë të kualifikueshëm. Koha e privatizimit konsiderohet dita e nënshkrimit të kontratës së shit-blerjes në mes AKP-së dhe blerësit.

 

•  Ku mund të bëjë ankesë?

Nëse nuk jeni në listën preliminare (fillestare) të punëtorëve, ju mund të parashtroni ankesë në Komisionin për Shqyrtimin e Ankesave (KSHLAP) që vepron në kuadër të AKP-së në afat prej 20 ditësh që nga dita e publikimit të listës së punëtorëve.

 

•  Çfarë dokumentacioni duhet të përgatis për parashtrim të  ankesës?

Për përgatitjen e ankesës palët duhet të kenë Formulari i AKP-së i cili përmban të dhëna për veprime të nevojshme për ankuesit, Librezën e punës të vërtetuar në organin kompetent, vendimet e themelimit të marrëdhënies së punës në NSH, vendimet mbi ndërprerjen e marrëdhënies së punës gjatë masave të dhunshme 1989-1999, si dhe prova të tjera të cilat janë me interes për ankuesit me të cilat dëshmohet punësimin në NSh.   

 

•  Emri im nuk figuron as në listën përfundimtare, ku duhet të ankohem tani?

Nëse nuk jeni as në listën përfundimtare të punëtorëve, ankesa ushtrohet në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, në afatin prej 20 ditëve nga dita e publikimit të Listës përfundimtare nga Agjencia në mjetet e shkruara të informacionit publik.

 

•  Dokumentacioni mbi punësimin më është djegur në tërësi, si të dëshmoj se kam qenë punëtorë i ndërmarrjes?

Nëse dokumentacioni ju është djegur apo humbur, atëherë duhet të kërkoni nga udhëheqja e NSh-së të ju lëshojnë ndonjë dëshmi lidhur me punësimin në bazë të Librit amë të NSh-së.

 

•  Shumë herë jam lajmëruar në punë, shefi ose drejtori më kanë shënuar emrin në bllok (kompjuter) dhe më ka thënë se do të më thërrasin në punë, por as më kanë thirr në punë e as më kanë dhënë ndonjë dokument me shkrim si dëshmi që jam lajmëruar në punë. Si të dëshmoj se jam lajmëruar në punë?

Me rastin e shqyrtimit të ankesave nga KSHLAP, AKP zakonisht sipas nevojës i fton edhe përfaqësuesit e NSh-së për të dëshmuar lidhur me statusin e punëtorëve në kohën e privatizimit dhe i merr informatat e duhura në lidhje me statusin e punëtorëve të secilës NSH.

 

 Pse personat e vdekur nuk përfshihen në listë?

Sepse në kohën e privatizimit nuk kanë qenë në mesin e personave të gjallë dhe nuk e kanë patur statusin e punëtorit.

 

 Pse fondet nga 20% shpërndahen përmes BSPK-së e nuk i jepen menaxhmentit të NSh-së për t’i shpërndarë tek punëtorët?

Mënyra e shpërndarjes së mjeteve të 20 % është e rregulluar me Ligj, ku thuhet se fondet e 20% të shpërndahen nga AKP nëpërmjet BSPK-së.

 

 Pse nuk ndryshohet legjislacioni që e rregullon çështjen e 20%, në mënyrë që t’u mundësohet të gjithë punëtorëve të përfitojnë nga privatizimi?

Sepse ky legjislacion është i aprovuar nga Administrata e UNMIK-ut dhe si i tillë është akoma në fuqi. AKP gjatë punës së saj është e obliguar të respektoj legjislacionin në fuqi.

 

 Si bëhet përllogaritja dhe shpërndarja e 20%?

AKP disponon me një sistem të posaçëm shumë efikas në bazë të të cilit bëhet përllogaritja e 20%.   


 

 A kam të drejtë të angazhoj avokat?

Po gjithsesi, në çdo publikim të listës (fillestare dhe finale) theksohet e drejta e punëtorit që të angazhoj avokat. Ndërsa nëse palët nuk kanë mjete për avokat, atëherë mund të angazhojnë Organizata Joqeveritare për ndihmë juridike falas.

 

 Pse nuk i marrim në të njejtën kohë 20% dhe rrogat e pa paguara nga periudha e kaluara?

Këto janë dy çështje të ndryshme, trajtohen dhe kompensohen ndaras si proces dhe nuk janë të ndërlidhura njëra me tjetrën.

 

 Pse Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës (GHPGJSK) nuk i shqyrton ankesat më shpejt?

Për këtë çështje AKP nuk mund të deklarohet, por duhet të kontaktohet me DHPGJSK.

 

 Pse po vonohet transferi i fondeve nga BSPK?

AKP, ashtu siç është e paraparë me procedurat ligjore, bart mjetet e 20 % tek BSPK për t’iu shpërndar më pas punëtorëve. Për çdo vonesë eventuale pas këtij procesi duhet të kontaktohet me BSPK.

 

 Në cilën Bankë duhet të hapet llogaria?

Nuk është e përcaktuar, kjo mbetet në dëshirën e punëtorit se në cilën bankë dëshiron të hap llogarinë bankare.

 

 A mund të bëhet transferi i këtyre fondeve jashtë Kosovës (p.sh. në Serbi) dhe në cilën Bankë duhet të hapet llogaria?

Në princip po, mirëpo varet se a është kjo çështje e realizueshme nga vet bankat. Informatat për këtë gjë duhet të merrni nga vet banka.

 

 Emri im është në listë, mirëpo fondet nuk i kam pranuar ende. Pse?

Ekziston mundësia që llogaria bankare është mbylluar/pasivizuar, apo është llogari e pensionit. Për 20% duhet të jetë llogari e veçantë bankare. Sidoqoftë, punëtori mund ta sqaroj këtë çështje në bankën ku e ka të hapur llogarinë bankare.