Ekzekutohet pagesat për mbi 1 mijë kreditorë të ndërmarrjes shoqërore "Sharr"

Prishtinë    22/12/2017

Prishtinë - Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) njofton opinionin e gjerë publik se menjëherë pas vendimit të Bordit të Agjencisë të datës 20 nëntor 2017 për aprovimin e raportit të shpërndarjes së përkohshme të fondeve të likuidimit për kreditorët e ligjshëm të “GJI042 ndërmarrja Shoqërore PMN Sharr” ka vazhduar me procedurat e ekzekutimit të pagesave për këta kreditorë të ligjshëm

Raporti i shpërndarjes përfshin pagesën deri në nivelin e kërkesave preferenciale të punonjësve në vlerë totale prej 1,350,484.76 Euro. Në kuader të kësaj ndërmarrje shoqërore në likuidim janë: Sharr Çimentorja dhe Sharr Salloniti me seli në Hani i Elezit, Fabrika e Gurit dhe Gëlqeres me seli në Kaçanik dhe Fabrika e Bllokave Silcapor me seli në Matlumë-Kaçanik. Pas kompletimit të dokumentacionit dhe kontrollimit të llogarive bankare të kreditorëve dhe ish punëtorëve të kësaj ndërmarrje, është arrit që me datë 20 dhjetor 2017 të ekzekutohet pagesa në Bankën Qendrore për mbi 1,000 kreditorë të ligjshëm nga kjo ndërmarrje shoqërore në likuidim.


Që nga fillimi i procesit të likuidimit e deri më tani Bordi i Agjencisë ka aprovuar 161 Raporte të shpërndarjes së parakohshme/përfundimtare për 161 ndërmarrje shoqërore në likuidim. Shuma e fondeve të miratuar për shpërndarje deri me tani për kreditorët e ligjshëm që nga fillimi i procesit të likuidimit ka rritur vlerën prej 24,253,083.41 €. Nga këto shpërndarje deri më tani kanë përfituar rreth 13,000 kreditorë të ndryshëm.
Autoritetet e likuidimit deri më tani kanë lëshuar 90,526 vendime për pretendues të ndryshëm, ndërsa Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës ka lëshuar aktvendimeve për lejimin e përmbylljes së procesit të likuidimit për 17 ndërmarrje shoqërore/asete.


Deri më tani procesi i likuidimit ka filluar për 501 ndërmarrje shoqërore/asete, ndërsa edhe për 12 ndërmarrje shoqërore/asete, pas vendimit të Bordit të muajit dhjetor 2017, procesi i likuidimit do të filloj në muajin janar, gjegjësisht shkurt të vitit 2018.


Agjencia mbetet e përkushtuar që edhe në vazhdim të përgatis dhe të miratoj raporte të shpërndarjes për të gjitha ato ndërmarrje shoqërore në likuidim të cilat i plotësojnë kushtet ligjore për shpërndarje.