AKP fiton kontestin gjyqësor milionësh me kompaninë ESBI e angazhuar në KEK

Prishtinë    22/06/2018

Me Aktgjykim final të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, AKP fiton kontestin gjyqësor milionësh ndaj kompanisë irlandeze ESBI e angazhuar në KEK në vitet 2004-2006

Prishtinë - Agjencia Kosovare e Privatizimit e ka fituar në të dy shkallët procesin gjyqësor që është zhvilluar në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës me kompaninë ESBI nga Republika e Irlandës.


Kolegji i Ankesave i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës ka lëshuar Aktgjykimin

AC-1-18-0090, me të cilën ka refuzuar ankesën e paditësit ESBI Consultants Limited nga Republika e Irlandës me çka ka vërtetuar Aktgjykimin e lëshuar nga Kolegji i Specializuar i po kësaj Gjykate që e ka refuzuar si të pabazuar padinë e ESBI-së.

 

ESBI Consultants Limited, kompani e regjistruar në Irlandë, ishte e angazhuar në menaxhimin e Korporatës Energjetike të Kosovës në vitet 2004-2006 përmes një kontrate të lidhur me ish- AKM-në. Më 26 qershor 2008 ESBI kishte ushtruar padi ndaj ish AKM-së për, siç thuhej në padi, mospërmbushje të detyrimeve ndaj saj për angazhimin në KEK. Vlen të theksohet se vlera e kontestit ka qenë 4,945,128.83€, ndërsa duke llogaritur pretendimet e ankuesit në interes (kamatë) nga viti 2006 e deri më tani që në vlerë totale i bie afër 10 milionë euro. Përgjatë një procesi të gjatë gjyqësor, AKP në të dy shkallët e Dhomës së Posaçme e ka fituar kontestin gjyqësor duke e kursyer kështu Buxhetin e Kosovës për rreth 10 milionë euro nga dënimet potenciale.

 

Ky është edhe një rast i fituar i AKP-së në betejat ligjore në mbrojtje të interesave të ndërmarrjeve të Kosovës.

 

 

 

 

FUND