AKP i dorëzon dhe publikon Raportet e Pasqyrave Financiare Vjetore

Prishtinë    04/02/2019

Agjencia e Kosovare të Privatizimit i ka dorëzuar Raportet e Pasqyrave Financiare vjetore në Departamentin e Thesarit që vepron në kuadër të Ministrisë së Financave të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Pasqyrat Financiare vjetore të Agjencisë janë të ndara në raport me të hyrat e dedikuara dhe me fondet në mirëbesim për periudhën e përfunduar kalendarike të vitit 2018. Agjencia i ka përgatitur këto dokumente sipas Standardeve Ndërkombëtare të Kontabilitetit të Sektorit Publik “Raportimi Financiar sipas Kontabilitetit të bazuar në para të gatshme” dhe “Rregullores Kornizë mbi raportimin e Pasqyrave Financiare të Fondeve në Mirëbesim” të aprovuar nga Bordi i Drejtorëve më 23 Shkurt 2011, i përmbushin të gjitha obligimet raportuese që dalin nga Ligji për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë (LMPFP) nr.03/L-48, plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin nr.03/L-221, Ligjin nr. 04/L-116 dhe ligjin nr. 04/L-194 dhe janë bazuar në shënimet financiare të mbajtura në mënyrë të duhur.

Pasqyrat Financiare të Agjencisë janë prezantuar sipas parimit të kontabilitetit të bazuar në para të gatshme dhe janë përfshirë edhe llogaritë të arkëtueshme, llogaritë e pagueshme dhe detyrimet kontingjente vetëm si shpalosje në pasqyrat financiare të Fondeve në Mirëbesim. Të gjitha të dhënat financiare të pranimeve dhe pagesave që janë paraqitur në këto shënime janë nga llogaritë bankare të NSh-ve që Agjencia menaxhon dhe administron në Bankën Qendrore të Kosovës.

Gjendja bankare deri më 31 dhjetor 2018 ka qenë 388 milionë e 115 mijë euro. Të hyrat nga privatizimet e realizuara gjatë vitit që shkoi ishin 18 milionë e 138 mijë euro, ndërsa të hyrat nga qiraja ishin 6.2 milionë euro. Në total të hyrat e realizuara nga qiradhëniet kanë arritur shumën 38.8 milionë euro. Pagesa për punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore përmes 20 % gjatë vitit 2018 janë realizuar rreth 7 milionë euro, ndërsa shuma e përgjithshme e shpërndarjeve të 20 % për punëtorët legjitim është 126.2 milionë euro. Kreditorët e NSh-ve gjatë këtij viti janë paguar në shumën 2.4 milionë euro ndërsa shuma e përgjithshme e shpërndarë për kreditorët është mbi 26 milion eur , kurse fondet e transferuara në buxhetin e Kosovës këtë vit janë 86.1 milionë euro, përderisa në total janë bartur në buxhetin e shtetit 176.7 milionë euro.

Raportet me Pasqyrat Financiare vjetore AKP i ka publikuar dhe mund të gjenden në web faqen zyrtare: www.pak-ks.org, rubrika “Raportet”.