Nënshkruhet marrëveshja: AKP bartë rreth 200 mijë hektarë prona pyjore në Ministrinë e Bujqësisë
Prishtinë   
22/05/2026
Kryetari i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, z. Hekuran Nikçi, dhe drejtori ekzekutiv në detyrë, z. Burim Leci, nënshkruan sot marrëveshjen e pranim-dorëzimit me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, z. Armend Muja dhe me drejtorin në detyrë të Agjencisë Pyjore të Kosovës, z. Menderez Ibra, për transferimin e Ekonomive Pyjore dhe Ekonomive të Gjuetisë nga AKP-ja në Ministrinë e Bujqësisë.
Gjatë një ceremonie rasti të mbajtur në ambientet e Ministrisë së Bujqësisë, marrëveshja e nënshkruar u vlerësua si ndër proceset më meritore të pasluftës, me ç’rast asetet e rëndësishme po përjashtohen nga procesi i privatizimit dhe po kalojnë në menaxhim të Ministrisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë për interes publik.
Bëhet fjalë për rreth 200 mijë hektarë prona të shpërndara në 3015 parcela që kanë qenë nën menaxhimin e AKP-së. I gjithë dokumentacioni me listën e aseteve dhe me parcelat e evidentuara poashtu u barten në Ministri, të cilat pas përfundimit të procedurave kadastrale do të jenë publike.
AKP me rastin e transferimit të këtyre aseteve dhe detyrimeve te Agjencia Pyjore e Kosovës, ka ofruar të gjithë dokumentacionin relevant në dispozicion, të dhëna këto të paraqitura në formë të Shtojcave të kësaj Marrëveshje. Ndërsa, sipas nevojës, do të formojë komisione të përbashkëta me Agjencinë Pyjore të Kosovës për kontrollimin dhe transferimin e pronësisë në emër të Qeverisë së Kosovës.
Vendimi për bartjen e 22 Ekonomive Pyjore dhe dy Ndërmarrjeve Pyjore Industriale është marrë paraprakisht në Bordin e AKP-së dhe është bazuar në Ligjin e AKP-së Nr. 04/ L-034 dhe në Ligjin Nr. 08/L-137 për Pyjet.