MBLEDHJA E BORDIT TË DREJTORËVE TË AKP-SË MBAJTUR ME 25 QERSHOR 2026

Prishtinë    26/06/2026

Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit mbajti mbledhjen e rregullt, në të cilën u shqyrtuan dhe miratuan një sërë vendimesh me rëndësi për vazhdimin dhe forcimin e qeverisjes institucionale brenda Agjencisë.

Në këtë mbledhje, Bordi morri vendim për të shpallur konkurs publik për rekrutimin e  5 anëtarëve për Bordin e Përkohshëm të NSH Inex Sharr Planina Brezovicë.

Bordi gjithashtu miratoi kërkesën buxhetore për vitin 2027 dhe parashikimet për vitet 2028–2029.

Në këtë mbledhje po ashtu u morr vendim që të jepen autorizime shtesë për dy zyrtar të Agjencisë për ndërmarrjen e veprimeve shtesë pranë Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK) dhe institucioneve tjera kompetente lidhur me NSH “Trepça – Ndërmarrje në Administrim të AKP-së”, me NUI 810356932, si dhe njësive të saj jothelbësore që vazhdojnë të administrohen nga AKP-ja. Po ashtu Bordi vendosi që të aprovoj raportin e Komisionit për Përcaktimin e Statusit, KPS1544/MIT167, sipas së cilit konstatohet se “Të mirat furnizuese të ndërmarrjes Trepça” – Aseti në Mitrovicë/Kosovë – KPS 1544/MIT167, si dhe çdo aset i ndërmarrjes që do të identifikohet në të ardhmen, janë në pronësi shoqërore dhe bien nën administrimin e Agjencisë Kosovare te Privatizimit.

Lidhur me banesat në pronësi shoqërore Bordi vendosi që të refuzoj 5 kërkesa për blerjen e banesave pasi që të njëjtat  nuk e kanë dokumentuar mjaftueshëm kërkesën dhe kësisoj nuk i plotësonin kushtet ligjore. 

Në fushën e likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore, Bordi miratoi shpërndarjen e mjeteve për kreditorët e NSh-ve në vijim: 1) K.B Bujqësia – PRN009 në shumën prej  26,623.02  € për 14 kreditor, 2) NSh Magjistrala -PRN032 në shumën prej 457,934.57  € për 99 kreditor, 3)  NSh KB Përparimi -PRN019 në shumë prej 116,637.47  € për 4 kreditor, dhe 4) NSh Kombinati I Lëkurë Këpucëve – PEJ173 në shumë prej 27,087.48  € për 5 kreditor. Ndërsa në frymën e likuidimit të NSh-vë Bordi miratoi buxhet shtesë për 33 ndërmarrje shoqërore pasi që  për të njëjtat ende nuk kanë përfunduar procedurat e likuidimit.

Në kuadër të akteve nënligjore Bordi amendamentoi Rregulloren për qiradhënie dhe po ashtu vendosi që të filloj procesin e rivlerësimit të qiradhënieve aktuale. Bordi poashtu vendosi që pas procedurave në një nga mbledhjet e ardhshme të aprovoj Rregulloren për NSh Inex Sharr Planina Brezovicë.

Agjencia Kosovare e Privatizimit mbetet e përkushtuar që, në përputhje me mandatin e saj ligjor, të avancojë proceset e privatizimit, likuidimit dhe administrimit të aseteve shoqërore në mënyrë transparente, profesionale dhe në funksion të mbrojtjes së interesit publik.