Nga objekt i pashfrytëzuar në kapacitet prodhues: Electro Plus nis prodhimin e transformatorëve në Zubin Potok

Prishtinë    14/09/2026

Fabrika “LOLA – Fabrika e Veglërisë” në Zubin Potok, e cila për shumë vite kishte qenë jashtë funksionit, sot është rikthyer në prodhim. Falë investimeve të kompanisë “Electro Plus”, fabrika tashmë prodhon transformatorë vendorë nën markën ENERKOS TRAFO, duke i dhënë jetë të re një pjese të rëndësishme të historisë së industrisë.

Agjencia Kosovare e Privatizimit e ka mundësuar këtë hap përmes vënies në dispozicion të shfrytëzimit të objektit që është në pronësi shoqërore dhe që administrohet nga AKP, kompanisë Electro Plus për zhvillimin e aktivitetit afarist, ku përveç prodhimit, do të bëhet edhe testimi dhe certifikimi i transformatorëve përmes teknologjisë së avancuar.

Në hapjen zyrtare të fillimit të prodhimit të transformatorëve morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore qëndrore e lokale, ndërsa mori pjesë edhe kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të AKP-së, z. Hekuran Nikçi, i cili në emër të Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, përgëzoj kompaninë Electro Plus për investimin dhe për vizionin për ta zhvilluar këtë kapacitet prodhues. Ai tha se kjo është një dëshmi se si një aset kthehet në vlerë. “Ky është një shembull konkret i asaj që ne në AKP besojmë se rezultati i punës sonë duhet të jetë: jo thjesht administrimi i aseteve, por aktivizimi i potencialit të tyre ekonomik. Sepse një aset i mbyllur nuk krijon vende pune. Një objekt i pashfrytëzuar nuk gjeneron zhvillim”.

“Electro Plus” aktivitet më parë e zhvillonte në Vushtrri, me kapacitet më të vogël. Në lokacionin e ri janë punësuar 23 punëtorët, ndërsa është në proces të rritjes së numrit në 45 punëtorë në ditët në vijim dhe përveç prodhimit, do të bëhet edhe testimi dhe certifikimi i transformatorëve përmes teknologjisë së avancuar.

Agjencia Kosovare e Privatizimit, si institucion i themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës që vepron në të gjithë territorin e vendit, do të vazhdojë ta kryejë mandatin e saj me përgjegjësi, transparencë dhe fokus të qartë në rritjen e vlerës së aseteve dhe në krijimin e kushteve që ato të zhvillohen në mënyrë të qëndrueshme.