REAGIM ZYRTAR I AGJENCISË KOSOVARE TE PRIVATIZIMIT
Prishtinë   
23/10/2026
Lidhur me artikullin e botuar më 21 tetor 2026, në portalin “Infokus”, me titull “EKSKLUZIVE: Nga 4 EURO metri katror – AKP shiti me negocim direkt 54 PRONA gjatë vitit 2025”, me autore Hateme Smajli
Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) shpreh shqetësimin e saj lidhur me përmbajtjen e artikullit të publikuar nga portali “Infokus”, në të cilin janë paraqitur informacione/pretendime të pasakta, interpretime të njëanshme dhe përfundime që nuk pasqyrojnë plotësisht rrethanat faktike dhe juridike të rasteve të trajtuara. Mënyra e paraqitjes së këtyre informacioneve krijon një perceptim të gabuar mbi ligjshmërinë dhe transparencën e procedurave të ndjekura nga AKP, duke rrezikuar keqinformimin e opinionit publik.
Në funksion të informimit të drejtë, objektiv dhe të plotë të qytetarëve, AKP konsideron të nevojshme të sqarojë faktet dhe bazën ligjore mbi të cilën janë realizuar shitjet e përmendura në artikull:
- Shitjet e realizuara gjatë vitit 2025 janë shitje direkte, jo shitje me negocim direkt
Fillimisht, para se të trajtohen aspektet ligjore dhe procedurale, është e rëndësishme të sqarohet një pasaktësi thelbësore në terminologjinë e përdorur në artikull. Shitjet e realizuara gjatë vitit 2025, të cilave u referohet artikulli, nuk janë shitje me negocimi siç pretendohet në artikull, por shitje direkte të realizuara më pajtim me Rregulloren Nr 08/2025 për shitjen direkte të aseteve të caktuara të ndërmarrjeve shoqërore.
Kjo rregullore përcakton kushtet, kriteret dhe procedurat për realizimin e shitjeve direkte, duke marrë parasysh rrethanat specifike faktike dhe juridike të aseteve përkatëse.
Përdorimi i termit “negocim direkt”, pa sqaruar natyrën dhe bazën ligjore të procedurës së zbatuar, krijon përshtypjen e gabuar se shitjet janë realizuar përmes marrëveshjeve individuale dhe jashtë një kuadri të përcaktuar rregullativ.
2. Rrethanat faktike dhe juridike që kanë kushtëzuar realizimin e shitjeve direkte
Një element tjetër thelbësor, i cili nuk është pasqyruar në mënyrë të plotë në artikull, lidhet me gjendjen faktike dhe juridike të pronave të përmendura. Ndonëse portali “Infokus” ka siguruar dokumentacionin për 54 raste të shitjeve direkte të realizuara gjatë vitit 2025, në artikull janë veçuar vetëm pesë raste, pa u paraqitur rrethanat specifike që kanë kushtëzuar zbatimin e kësaj procedure.
Për të sqaruar natyrën e këtyre rasteve, AKP thekson se:
- Në fshatin Turiqevc, zona e vlerësimit 311-21-13, prona në fjalë përfshin një objekt banimi të ndërtuar në të, rrethanë kjo që ndikon drejtpërdrejt në gjendjen faktike dhe mundësinë e shitjes së pronës përmes procedurave të zakonshme të tenderimit publik.
- Në fshatrat Rakosh zona e vlerësimit 311-6-6, Krushevc zona e vlerësimit 111-9-5, bëhet fjalë për prona në bashkëpronësi ndërmjet ndërmarrjeve shoqërore dhe personave privatë, ku bashkëpronarët kanë ushtruar të drejtën e parablerjes, e cila garantohet nga legjislacioni i zbatueshëm në Republikën e Kosovës dhe është trajtuar në përputhje me dispozitat e Rregullores për Shitjen Direkte.
- Në fshatin Magurë të Lipjanit, zona e vlerësimit 311-13-1, në pronën përkatëse ekzistojnë dy objekte banimi, të ndërtuara para vitit 1999, të cilat përbëjnë rrethana faktike relevante për përcaktimin e mënyrës së disponimit me pronën.
Këto rrethana, përfshirë ndërtimet e banimit dhe marrëdhëniet juridike të krijuara ndër vite, kanë kufizuar mundësinë e shitjes së tyre përmes tenderimit publik dhe kanë arsyetuar zbatimin e procedurës së shitjes direkte. Prandaj, krahasimi i çmimeve për metër katror, pa marrë parasysh gjendjen e tyre faktike, statusin juridik dhe kufizimet që burojnë prej tyre, nuk ofron një pasqyrë objektive të procesit të shitjes.
3. Vlerësimi i pronave është realizuar në bazë të metodologjisë zyrtare të përcaktuar me rregullore
Sa i përket pretendimeve lidhur me çmimet e shitjes, AKP sqaron se vlerësimi i aseteve nuk është bërë në mënyrë arbitrare dhe as mbi bazën e vlerësimeve subjektive të zyrtarëve të Agjencisë. Në pajtim me Rregulloren nr. 08/2005, vlera e asetit dhe/ose e pjesës së tij përcaktohet duke u bazuar në treguesit e vlerave referente, në harmoni me klasifikimet e përcaktuara në hartat digjitale të zonave të vlerësimit, të publikuara nga Ministria e Financave për qëllime të tatimit në pronë. Kjo nënkupton se vlerësimi i pronave mbështetet në të dhëna dhe parametra zyrtarë, të përcaktuar sipas metodologjisë së institucioneve kompetente të aplikuar në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, dhe jo në diskrecionin individual të zyrtarëve të AKP-së.
Prandaj, çmimet prej 4 apo 6.50 eurosh për metër katror, të cilat janë veçuar në artikull, duhet të shqyrtohen në kontekstin e klasifikimit përkatës të pronës, vendndodhjes, gjendjes faktike dhe juridike, si dhe metodologjisë së vlerësimit të zbatueshme për këto raste.
Paraqitja e këtyre çmimeve në mënyrë të izoluar, pa sqaruar burimin dhe bazën mbi të cilën janë përcaktuar, krijon përshtypjen e pabazuar se AKP ka vendosur çmime në mënyrë subjektive ose se pronat janë shitur nën vlerën e përcaktuar sipas procedurave të zbatueshme. AKP rithekson se i njëjti standard i vlerësimit zbatohet për të gjitha kërkesat për shitje direkte, në përputhje me kriteret e përcaktuara në aktet përkatëse ligjore dhe nënligjore.
4. Paraqitja selektive e rasteve nuk pasqyron realitetin e shitjeve të realizuara
AKP shpreh shqetësimin se, ndonëse portali “Infokus” ka pasur në dispozicion dokumentacionin për 54 raste të shitjeve direkte për qëllime hulumtimi, në artikull janë përzgjedhur vetëm 5 raste kryesisht rastet me çmime më të ulëta për metër katror, duke lënë jashtë raste të tjera që paraqesin vlera dukshëm më të larta.
Për ilustrim, në dokumentacionin e siguruar nga vetë portali përfshihen edhe raste të vlerësimit të pronave në:
- Prizren, me vlerë prej 200 eurosh për metër katror;
- Mitrovicë, me vlerë prej 320 eurosh për metër katror;
- Gjakovë, me vlerë prej 900 eurosh për metër katror.
Këto raste, të cilat janë pjesë e të njëjtit dokumentacion të ofruar nga AKP, dëshmojnë se vlerat e pronave ndryshojnë ndjeshëm në varësi të vendndodhjes, klasifikimit dhe karakteristikave të tyre. Mos përfshirja e këtyre të dhënave në artikull, krahas përqendrimit në një numër të kufizuar rastesh me çmime më të ulëta, krijon një pasqyrë të pjesshme të procesit dhe nuk i mundëson publikut të kuptojë në mënyrë të plotë mënyrën e përcaktimit të vlerës së aseteve.
AKP konsideron se një trajtim objektiv dhe profesional i kësaj çështjeje do të duhej të përfshinte të dhënat përfaqësuese të të gjitha rasteve, bazën e tyre ligjore dhe rrethanat që kanë ndikuar në vlerësimin dhe realizimin e shitjeve.
5. Baza ligjore e realizimit të shitjeve direkte
AKP thekson se procedurat e shitjes direkte të përmendura në artikull janë trajtuar në përputhje me kuadrin ligjor dhe rregullativ që përcakton mandatin dhe kompetencat e Agjencisë, përkatësisht:
- Ligjin për Agjencinë Kosovare të Privatizimit;
- Shtojcën e Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, konkretisht nenin 18, paragrafin 1.4;
- Rregulloren Nr. 08/2025 për Shitjen Direkte të Aseteve të Caktuara të Ndërmarrjeve Shoqërore.
Këto akte përcaktojnë bazën juridike për administrimin dhe disponimin me asetet e ndërmarrjeve shoqërore, si dhe kushtet dhe procedurat që duhet të ndiqen në rastet kur plotësohen kriteret për realizimin e shitjes direkte. Për rrjedhojë, shitja direkte përbën një procedurë të rregulluar juridikisht dhe jo një mekanizëm të shitjes së pronave jashtë procedurave ligjore, siç mund të perceptohet nga mënyra e paraqitjes së informacionit në artikull.
6. AKP është institucion i pavarur që vepron në përputhje me mandatin e saj ligjor
Agjencia Kosovare e Privatizimit është institucion i pavarur, i cili ushtron kompetencat e tij në bazë të mandatit të përcaktuar me ligj dhe jo mbi baza politike. Vendimmarrja e AKP-së mbështetet në dokumentacionin përkatës, vlerësimet profesionale, analizat juridike dhe teknike, si dhe në procedurat e miratuara nga organet kompetente. AKP mbetet e përkushtuar ndaj respektimit të ligjshmërisë, transparencës, trajtimit të barabartë të të gjitha palëve dhe mbrojtjes së interesit publik gjatë administrimit, privatizimit dhe likuidimit të aseteve të ndërmarrjeve shoqërore.
Duke marrë parasysh se artikulli në fjalë nuk ka pasqyruar në mënyrë të plotë bazën ligjore të shitjeve direkte, rrethanat faktike dhe juridike të pronave, metodologjinë zyrtare të vlerësimit dhe të dhënat e tjera relevante që kanë qenë në dispozicion të portalit, AKP vlerëson se informacioni i publikuar është i njëanshëm dhe mund të krijojë perceptime të pasakta tek opinioni publik.
AKP respekton rolin e mediave në informimin e qytetarëve dhe në ushtrimin e mbikëqyrjes publike ndaj institucioneve, duke konsideruar njëkohësisht se raportimi mbi çështjet që lidhen me administrimin e pronës shoqërore duhet të mbështetet në fakte të verifikuara, kontekst të plotë dhe interpretim të saktë të kuadrit ligjor.
Për këtë arsye, Agjencia Kosovare e Privatizimit kërkon nga portali “Infokus” që, në përputhje me standardet profesionale të gazetarisë dhe parimin e informimit të drejtë të publikut, të publikojë këtë reagim zyrtar dhe të korrigjojë e plotësojë artikullin përkatës, duke reflektuar bazën ligjore, rrethanat faktike dhe të dhënat relevante që kanë ndikuar në realizimin e shitjeve direkte. AKP mbetet e hapur për ofrimin e sqarimeve dhe informacioneve shtesë, në përputhje me legjislacionin në fuqi, me qëllim të garantimit të transparencës dhe informimit të saktë të opinionit publik.