MBLEDHJA E BORDIT TË DREJTORËVE TË AKP-së

Prishtinë    01/07/2024

Prishtinë – Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit mbajti mbledhjen e radhës, ku ndër të tjera shqyrtoi dhe e miratoi Raportin përfundimtar të Komisionit Përzgjedhës të rekrutimit për pozitën e zëvendës drejtorit ekzekutiv operativë. Përmes një procesi të rregullt, të hapur dhe transparent të konkursit bazuar në procedurat ligjore në fuqi, i cili u administrua nga një komision profesional, dhe pas shqyrtimit të ankesave nga Këshilli i Pavarur Mbikqyrës i Shërbimit Civil të Kosovës, Bordi mori vendim që të emëroj z.Burim Leci në pozitën e zëvendës drejtorit ekzekutivë operativë të AKP-së, i vlerësuar kandidati me më së shumti pikë nga procesi i konkursit publik.

Gjatë kësaj mbledhje Bordi u informua edhe për punën e menaxhmentit të kësaj Agjencie për periudhën paraprake një mujore për Agjencinë, si dhe shqyrtoi dhe aprovoi buxhetin e AKP-së për vitin e ardhshëm fiskal 2025.

 

Sa i përket shitjeve me tender publik, Bordi aprovoi shpalljen e valës së re të shitjeve – Shitja e aseteve përmes Likuidimit nr. 67, me gjithsej 36 asete, e cila së shpejti do të publikohet. Bordi trajtoi poashtu rastet e shitjes direkte të aseteve të NSh-ve, ku aprovoi 54 raste fillestare (18 aprovime dhe 36 refuzime) dhe 1 raport përfundimtar të divizionit për shitje direkte.

 

Përveç kësaj, Bordi diskutoi edhe për procesin e qiradhënieve të pronave të ndërmarrjeve shoqërore që janë në administrim të AKP-së, shqyrtoi rezultatet e shpalljes publike për qiradhënien e 233 aseteve që u mbajt gjatë këtij muaji dhe aprovoi ofertat me çmimet më të larta të ofruara, si dhe vendosi për një numër kërkesave nga institucionet publike dhe private për qiradhënie direkte të aseteve në pronësi shoqërore.

 

Bordi diskutoi edhe për gjendjen në ndërmarrjen “Brezovica”, ku gjatë këtij viti janë shtuar të hyrat krahasuar me periudhën e mëparshme. Gjatë vitit të raportimit, me vendim të Bordit janë bërë investime kapitale në vlerë prej afër 100.000 euro në përmirësimin e kushteve në këtë ndërmarrje dhe megjithatë ndërmarrja kishte shënuar rezultate më të mira krahasuar me vitet e kaluara.

 

Në vijim, Bordi u informua nga menaxhmenti i AKP-së lidhur me Raportin përfundimtar të procesit të likuidimit të ndërmarrjes zejtare ndërtimore “Muharrem Bekteshi”, në Mitrovicë të Jugut, “Erozioni”, “Stacioni i Veterinës Kaçanik”, “Trepça Konfeksioni” dhe për NSh “Bagat Zare”. kurse miratoi inicimin e procedurave të likuidimit për tri NSh: “Stacioni i Veterinës”, Podujevë, “ATM-PR”, Zagreb dhe për Ndërmarrjen Botuese “Veselin Maslesha”, Sarajevë. Bordi aprovoi poashtu propozimet e Autoritetit të Likuidimit për kërkesat për heqje dorë prej 9 rasteve të Ndërmarrjeve Shoqërore, përfshirë objekte dhe parcela me interes publik.

 

Gjatë kësaj mbledhje u aprovuan edhe listat përfundimtare të punëtorëve dhe shpërndarjes për përfitimin e 20 % për tri Ndërmarrje Shoqërore:  NSh “Jugopetrol”, për NSh “Jugoplastika” dhe për NSh “Turist Kosova”.  Gjithashtu, u aprovuan Raportet e shpërndarjes për NSh-të: “Theranda”, dhe Raporti i shpërndarjes së përkohshme plotësuese për NSh “Amortizatorët”, ku edhe më parë ka pasur shpërndarje.


Bordi i Drejtorëve diskutoi edhe për çështje të tjera në kuadër të veprimeve që po ndërmerren në AKP për të përmirësuar proceset e administrimit dhe menaxhimit sa më të mirë të pasurisë shoqërore.