MBLEDHJA E BORDIT TË DREJTORËVE TË AKP-së 29.11.2024
Prishtinë   
29/11/2024
Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare e Privatizimit (AKP) ka mbajtur sot mbledhjen e 215-të. Në këtë mbledhje u trajtuan çështje të rëndësishme që lidhen me aktivitetet e AKP-së, miratimin e dokumenteve strategjike dhe shqyrtimin e kërkesave të ndryshme.
Këtu Bordi shqyrtoi dhe miratoi Planin Vjetor të Punës dhe Performancës së AKP-së për vitin 2025 si dhe Raportin e Komisionit të Banesave (1 aprovim dhe 5 refuzime).
Sa i përket shitjeve me tender publik Bordi aprovoi transakcionet e SHAL 69 (10 aprovime dhe 12 refuzime). Ndërsa sa i përket shitjeve direkte Bordi në këtë mbledhje aprovoi klasifikimin dhe kategorizimin sipas shfrytëzimit aktual të pronës për 69 raste sipas vendimeve paraprake për inicimin e shitjes direkte.
Më pas Bordi shqyrtoi dhe miratoi kërkesën nga KGJK për Miratimin e vazhdimit të Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Agjencisë për financimin e Ofruesve të Shërbimeve për nevojat e administratës së Këshillit Gjyqësor të Kosovës në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës.
Bordi shqyrtoi dhe miratoi një numër kërkesash për qiradhënie të aseteve të Ndërmarrjeve Shoqërore, përfshirë kërkesat nga subjekte të ndryshme për transferim të qirave dhe qiradhënie direkte.
Veç kësaj Bordi i Drejtorëve miratoi shpërndarjen plotësuese të mjeteve për: NSh “Energoinvest” dhe NSh “Tregtia” ndërkaq për NSh “NHT Rugova” miratoi raportin korrigjues për shpërndarje. Në vazhdën e kësaj mbledhje Bordi miratoi propozimet për heqje dorë nga 5 parcela, asete të NSh-ve në emër të interesit publik.