AKP publikon për herë të parë çmimet orientuese - transparencë më e madhe për investitorët në ShAL 71

Prishtinë    28/03/2025

Në një hap të rëndësishëm drejt rritjes së transparencës dhe lehtësimit të vendimmarrjes për investitorët, Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) publikon, për herë të pare, çmimet orientuese për asetet që ofron për shitje. Kjo risi jo vetëm që ndihmon ofertuesit të kenë një pikë referimi por edhe e bënë procesin e ofertimit më të drejtë, më të qasshëm dhe më konkurrues.

 

Në Shitjen e Aseteve me Likuidim 71, AKP sjell një portofol prej 72 aseteve të shpërndara në gjithë territorin e Kosovës, duke përfshirë toka bujqësore, parcela ndërtimore, objekte afariste, depo dhe asete të luajtshme.

Rajoni i Gjilanit përfshihet në këtë listë me gjithsej 5 asete, të shpërndara në komunat e Ferizajt, Vitisë dhe Gjilanit. Dy prej këtyre aseteve konsiderohen me potencial komercial të shfrytëzimit, ndërsa tri të tjerat kanë karakter rezidencial – të gjitha të pozicionuara në zona me perspektivë zhvillimore.

Në Mitrovicë dhe komunat përreth, janë vënë në shitje gjithsej 6 asete. Lista përfshin tri lokale afariste, një depo, si dhe tri parcela toke, të gjitha me potencial për zhvillim rezidencial. Asetet janë të shpërndara në Mitrovicë të Jugut, Skenderaj dhe Drenas, duke ofruar alternativa për investime në infrastrukturë lokale dhe hapësira banimi apo biznesi.

Në rajonin e Pejës, oferta është veçanërisht e larmishme. AKP ka vënë në shitje 17 asete, prej të cilave 16 janë parcela toke me mundësi të shfrytëzimit si për qëllime rezidenciale, ashtu edhe komerciale. Asetet gjenden në Pejë, Istog, Deçan dhe Klinë, ndërsa përfshihet edhe një objekt komercial prej 180 metrash katrorë në komunën e Istogut, duke shtuar vlerë të menjëhershme për investitorët që kërkojnë hapësira funksionale.

Por pa dyshim, kryeqyteti, Prishtina, prin me numrin më të madh të aseteve në këtë valë shitjeje. Janë 31 prona në total, të shpërndara në zona me interes të lartë si Hajvali, Graçanicë, Podujevë, Shtime, Lipjan, Obiliq dhe Prishtinë. Në këtë listë përfshihen 29 parcela të mëdha, me sipërfaqe që variojnë nga mbi 90 ari deri në 10 ari, të gjitha me potencial të qartë rezidencial dhe komercial. Përveç parcelave, përfshihet edhe një objekt afarist, si dhe asete të luajtshme, që përbëjnë një ofertë gjithëpërfshirëse për bizneset dhe individët.

Më në jug, rajoni i Prizrenit përfshihet me 13 asete, të shpërndara në Rahovec, Suharekë, Dragash dhe Prizren. Këtu ofrohen për shitje nëntë parcela toke dhe tri lokale afariste, duke e bërë këtë rajon tërheqës për zhvilluesit që kërkojnë të investojnë në zona që po rriten ekonomikisht, por që ende ofrojnë çmime konkurruese.

Publikimi i çmimeve orientuese është një hap që e rritë besimin e investitorëve në procesin e ofertimit dhe vendos një standard të ri në qasjen ndaj pronës publike.

Ofertat e mbyllura për njësitë/asetet që janë në shitje përmes Shitjes së Aseteve me Likuidim nr.71 duhet të dorëzohen në “Sallën e konferencave – Hoteli Grand”, në Prishtinë me datën 16.04.2025, nga ora 10:00 deri në orën 12:00, të shoqëruara edhe nga depozita e ofertës dhe tarifa për paraqitjen e ofertës, ashtu siç është parashikuar për secilin artikull. Kurse hapja e ofertave do të bëhet po të njëjtën ditë, duke filluar nga ora 12:30. Gjatë kësaj periudhe palët e interesuara e kanë mundësinë që të marrin informata më të detajuara si dhe t’i vizitojnë për së afërmi pronat e ofruara për shitje.

Për më shumë informata, palët e interesuara mund të kontaktojnë AKP-në, Rruga “Dritan Hoxha Nr.55”, 10000 Prishtinë, Kosovë, apo në tel: +383 (0) 38 500 400, ext. 1090 apo ext.2059.