MBLEDHJA E BORDIT TË DREJTORËVE TË AKP-së 04.04.2025
Prishtinë   
04/04/2025
Bordi i Drejtorëve miraton listën e aseteve për shitje me tender publik. Gjatë muajit mars 2025, Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) ka mbajtur dy mbledhje të rregullta, më 14 dhe 27 mars, në të cilat janë diskutuar dhe miratuar një sërë çështjesh me rëndësi për vazhdimin e proceseve të privatizimit dhe forcimin e qeverisjes institucionale.
Në mbledhjen e parë, të mbajtur më 14 mars, Bordi shqyrtoi dhe miratoi raportin mujor të punës për muajin shkurt 2024, si dhe mori vendime konkrete lidhur me procedurat e shitjes direkte të aseteve. Nga numri i konsiderueshëm i rekomandimeve të paraqitura, u aprovuan 42 raste për fillimin e shitjes direkte, ndërsa 92 kërkesa të tjera u refuzuan. Po ashtu, u miratuan 19 raste me çmim përfundimtar të shitjes, dhe u trajtuan 3 raste që lidhen me pagesa të vonuara. Bordi gjithashtu shqyrtoi klasifikimin dhe kategorizimin e 8 aseteve në përputhje me vendimet paraprake.
Në mbledhjen e dytë, më 27 mars, Bordi miratoi Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve të AKP-së për periudhën 2026–2028, i cili u dorëzua në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, si dhe pyetësorin e vetëvlerësimit për vitin 2024, i cili poashtu dorëzohet në MFPT në kuadër të raportimit vjetor. U diskutua gjithashtu lista e aseteve të propozuara për shitje me tender publik përmes Shitjes së Aseteve me Likuidim nr. 72 (SHAL 72) dhe u morën vendime për qiradhënien e aseteve dhe transferimin e kontratave ekzistuese.
Në kuadër të shqyrtimit të çështjeve pronësore dhe juridike, Bordi analizoi raportin e komisionit për shitjen e banesave të ndërmarrjeve shoqërore, duke aprovuar dy kërkesa dhe refuzuar pesë të tjera. Një ndërmarrje e rëndësishme që ishte në fokus ishte “Bar Bilje” në Zubin Potok, për të cilën u caktua statusi ligjor si Ndërmarrje Shoqërore. Po ashtu, Bordi shqyrtoi dhe miratoi raportin përfundimtar të dorëzuar nga konsorciumi “Curtis, Mallet-Prevost, Colt & Mosle” LLP, “Grant Thornton Consulting” Doo dhe “Grant Thornton” L.L.C., lidhur me aneks-kontratën për likuidimin e ndërmarrjeve shoqërore për periudhën 1 korrik – 31 dhjetor 2024.