AKP forcon transparencën dhe qeverisjen përmes rregullores së re të prokurimit

Prishtinë    04/06/2025

Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) ka mbajtur mbledhjen e rregullt ku janë diskutuar dhe miratuar një sërë çështjesh me rëndësi për vazhdimin e proceseve të privatizimit dhe forcimin e qeverisjes institucionale.

 

Në këtë mbledhje, Bordi ka miratuar Rregulloren nr. 04/2025 për Procedurat e Prokurimit e cila zbatohet në prokurimet e Ndërmarrjeve Shoqërore (NSh), kur fondet janë nën kontrollin e tyre apo në administrim të drejtpërdrejtë nga AKP. Zbatimi i kësaj rregulloreje do të ketë fokus të veçantë në NSh Inex Brezovica, për shkak të aktivitetit të saj operativ. Sipas rregullores, prokurimet do të menaxhohen nga menaxhmenti i NSh-së përkatëse, nën mbikëqyrjen e bordit të saj, ndërsa AKP do të ushtroj rol mbikëqyrës, përmes: miratimit të planit vjetor të prokurimit, aprovimit të çdo procedure, pjesëmarrjes në komisionet e vlerësimit për prokurime mbi 10,000 euro, publikimit të tenderëve në uebfaqe, dhe menaxhimit të dokumentacionit tenderues. Këto ndryshime synojnë të forcojnë transparencën, efikasitetin dhe mbikëqyrjen në proceset e prokurimit të NSh-ve.

Gjithashtu, Bordi shqyrtoi dhe miratoi propozimin e Menaxhmentit lidhur me aprovimin e raportit të Komisionit për banesa të NSh-ve që përbëhej nga 3 raste (1 aprovim, 1 refuzim, 1 shpallje jo kompetencë i cili përmbante 15 raste)

Në përmbyllje, Bordi trajtoi një numër të caktuar rasteve të qiradhënies direkte për asetet e NSh-ve.