MBLEDHJA E BORDIT TË DREJTORËVE TË AKP-së 16.06.2025

Prishtinë    18/06/2025

Bordi i AKP-së miraton Rregulloren që e përshpejton përmbylljen e likuidimit të Ndërmarrjeve Shoqërore


Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), me 16  qershor  2025  ka mbajtur mbledhjen e rregullt të mes muajit, ku ka miratuar një sërë vendimesh me rëndësi për përparimin e proceseve të privatizimit dhe forcimin e funksionimit të brendshëm institucional.

Gjatë kësaj mbledhjeje, Bordi ka miratuar dy rregullore të brendshme: i) Rregulloren nr. 06/2025 për procedurat e parcelimit të ngastrave kadastrale në pronësi të Ndërmarrjeve Shoqërore (NSh), e cila synon të lehtësojë dhe përshpejtojë procesin e parcelimit, si fazë e domosdoshme për transformimin e pronave dhe përmbylljen e likuidimit të NSh-ve, dhe ii) Rregulloren nr. 05/2025 për Ofruesit e Shërbimeve në procesin e likuidimit të NSh-ve, që përcakton kategoritë dhe profilin e ofruesve të shërbimeve si dhe nivelin e kompensimit të tyre.

Lidhur me procesin e shitjes së aseteve me tender publik, Bordi shqyrtoi shitjen e Aseteve përmes Likuidimit nr. 72 (SHAL 72) që kishte 79 asete të publikuara, prej të cilave aprovoi 24 asete për shitje. Po ashtu, Bordi miratoi listën e aseteve të parapara për shitje përmes tenderit publik në kuadër të ShAL 74, që përfshin gjithsej 139 njësi. Publikimi i kësaj liste parashihet të bëhet me date 03 korrik 2025.

Ndërkaq, sa i përket procesit të shitjtes direkte të aseteve, Bordi aprovoi 23 raporte rekomanduese për fillimin e procedurave të shitjes, refuzoj 33 kërkesa për shitje për mungesë të kushteve ligjore, si dhe aprovoi 7 raporte përfundimtare të shitjes sipas kërkesave të palëve të miratuara më herët.

Ndër të tjera, Bordi ka aprovuar kërkesën e Komunës së Vitisë për rrënimin e një objekti të dëmtuar të NSH “Agromorava” në Viti, i cili përbënte rrezik për sigurinë publike.

Bordi ka miratuar edhe projektbuxhetin e AKP-së për vitin fiskal 2026, rritjen e buxhetit për dy ndërmarrje në likuidim, si dhe ka shqyrtuar mundësitë për ristrukturim të brendshëm të AKP-së, në përputhje me Planin Strategjik dhe volumin e mbetur të punëve. Në përfundim të mbledhjes, Bordi i AKP-së vendosi që, në bazë të propozimit të Bordit të Ndërmarrjes Shoqërore “Inex Sharr Planina”, të emërojë z. Sladan Nikolcevic si ushtrues detyre i Drejtorit Menaxhues të kësaj ndërmarrjeje në Brezovicë, deri në përfundimin e procedurës së konkursit zyrtar për këtë pozitë.