Në AKP u zhvillua aksion humanitar i dhurimit të gjakut

Prishtinë    16/07/2024

Në Agjencinë Kosovare të Privatizimit sot u zhvillua aksion humanitar dhe vullnetar i dhurimit të gjakut nga zyrtarë të AKP-së, ku në prani të ekipeve të Qendrës Kombëtare të Kosovës për Transfuzionin e Gjakut nga Qendra Klinike Universitare, dhuruan gjak një numër i konsiderueshëm i zyrtarëve nga selia qendrore dhe zyret regjionale të AKP-së.

 

Drejtori Ekzekutiv i AKP-së, Arben Limani, ka thënë se duke e parë nevojën për rezerva të gjakut, stafi i AKP-së ka shprehur dëshirën për të dalë në ndihmë të qytetarëve në nevojë dhe në mbështetje të Qendrës Kombëtarë të Transfuzionit të Gjakut. “AKP, çdo vit, për festat e fundvitit organizon aksion për dhurimin e gjakut. Kurse kësaj here, me kërkesë specifike të Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut të Kosovës (QKTGjK), jemi munduar ta organizojmë këtë aksion vullnetar për dhurim të gjakut, në kohën kur nevoja për rezerva të gjakut duket se është më e madhe se zakonisht”, tha drejtori i AKP-së.

Agjencia për çdo vit organizon aksion humanitar dhe vullnetar për dhurimin e gjakut në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut dhe në mbështetje të qytetarëve pacientë, të sëmurë apo të lënduar që kanë nevojë për gjak dhe përbërës të gjakut.

AKP falënderon Qendrën Kombëtare të Kosovës për Transfuzionin e Gjakut për bashkëpunimin dhe të gjithë zyrtaret dhe zyrtarët e saj për gatishmërinë dhe vullnetin e tyre për të dhuruar gjak, për të dhënë shpresë e për të shpëtuar jetë.