AKP kërkon hetim të plotë të tjetërsimit të pronës së RTP-së
Prishtinë   
23/10/2024
Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) mbetet e përkushtuar pa reshtur në mbrojtjen e pronës shoqërore që ka nën administrim, duke vepruar me përgjegjësi të plotë dhe në përputhje të plotë me ligjin. Në këtë drejtim, agjencia ka ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore dhe administrative të nevojshme për të mbrojtur pronën e “Radio Televizioni i Prishtinës” (RTP), përfshirë procedurat administrative, civile dhe penale. Për këtë rast është ngritur shqetësim dhe është përgatitur raport mbi tjetërsimin e pronës së RTP-së nga Komisioni Parlamentar për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim. AKP e vlerëson lart rolin dhe përkushtimin e Komisionit Parlamentar.
Në lidhje me këtë rast të tjetërsimit të paligjshëm të ngastrës kadastrale me nr. 00427-1, Zona Kadastrale ‘Çagllavicë’, AKP ka vepruar që nga momenti kur është njoftuar për këtë situatë më 6 shkurt 2023. Pas një dite, më 7 shkurt 2023, AKP ka kërkuar historiatin e pronës nga Zyra Kadastrale e Prishtinës për të verifikuar çdo ndryshim në regjistrat kadastral. Në mungesë të dokumentacionit të nevojshëm, AKP ka ndërmarrë hapa të mëtejshëm duke kërkuar informacione nga Arkivi Komunal i Prizrenit dhe Gjykata Themelore e Prizrenit, por nga këto institucione kemi pranuar informatë se aktgjykim i datës: 20.04.1976 me numër: P.br. 56/76, në të cilin është bazuar aktvendimi i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, nuk ekziston në arkivat e tyre.
Në përpjekjet për të verifikuar ligjshmërinë e procesit, AKP ka pranuar kopje të aktvendimit të Agjencisë Kadastrale të Kosovës në mars të vitit 2023, mbi të cilin është bërë ndërrimi i pronës, dhe ka vazhduar të ndërmarrë veprime ligjore për anulimin e kësaj bartjeje të cilën e konsiderojmë të kundërligjshme. AKP ka ndjekur të gjitha procedurat ligjore të nevojshme, duke përfshirë paditë dhe ankesat e paraqitura në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, si dhe kërkesën për masë të përkohshme sigurie më 17 mars 2023. Gjithashtu, agjencia ka përgatitur parashtresa shtesë bazuar në prova të reja që kanë dalë gjatë procesit.
Në aspektin penal, me date 25 prill 2023 AKP ka paraqitur një kallëzim penal për veprimet që dyshohet se janë të kundërligjshme dhe ka ofruar bashkëpunimin e plotë me Prokurorinë e Shtetit dhe organet hetimore. Përveç kësaj, janë kryer inspektime në terren, në bashkëpunim me ekipet hetimore, për të mbledhur informacione të detajuara rreth gjendjes aktuale të pronës.
Agjencia Kosovare e Privatizimit mbetet e vendosur të vazhdojë mbrojtjen e interesit publik dhe të sigurojë që pronat shoqërore të administrohen dhe mbrohen në përputhje të plotë me ligjin. Përkushtimi ynë do të vijojë deri në zgjidhjen e plotë të këtij rasti.