AGJENCIA KOSOVARE E PRIVATIZIMIT SHPALLI REZULTATET E SHITJES SË ASETEVE PËRMES LIKUIDIMIT nr. 65

Prishtinë    24/04/2024

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) sot në ceremoninë e hapjes së ofertave të shitjeve nr. 65 përmes metodës së Likuidimit, shpalli fituesit e përkohshëm për asetet e Ndërmarrjeve Shoqërore që ishin në dispozicion për shitje.

 

Ofertat u pranuan në “Sallën e konferencave - Hoteli Grand”, në Prishtinë nga ora 10:00 deri në ora 12:00, ku më pas u mbajt edhe ceremonia e hapjes së ofertave dhe publikimi i rezultateve nga ora 12:30.

Dorëzimi i ofertave nga investitorët, hapja e ofertave dhe publikimi i rezultateve janë bërë në mënyrë transparente, para përfaqësuesve të mediave dhe investitorëve të pranishëm. Po ashtu është bërë transmetimi i drejtpërdrejt i ceremonisë përmes faqes zyrtare të internetit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit: www.pak-ks.org, duke mundësuar përcjelljen e ceremonisë për të gjithë qytetarët e interesuar që nuk kanë qenë të pranishëm në sallë.

Për 26 asete sa ishin në shitje gjithsej u pranuan 68 oferta dhe vlera e tërësishme e ofertave më të larta ishte 2.306.680 €uro.

Muharrem Arifi, u.d. Zëvendës Drejtor Ekzekutiv - Operativë në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, në fjalën e tij hyrëse njoftoi të pranishmit se deri më tani janë privatizuar 2,939 asete të ndryshme përmes shitjeve të aseteve të Ndërmarrjeve Shoqërore në administrim te Agjencisë. Z. Arifi tha se në Fondet e Mirëbesimit janë grumbulluar gjithsej 784,114.302 €uro. “Ndërsa, shuma e fondeve të shpërndara te kreditorët e ligjshëm është 61,700,360 €uro për 307 Ndërmarrje Shoqërore në likuidim”, theksoi në vazhdim z.Arifi.

Për sa i përket shpërndarjes së 20 %, ai tha se Agjencia po vazhdon me miratimin e listave të punëtorëve dhe shpërndarjen e shumës së 20% të të hyrave nga shitjet e aseteve për punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore dhe deri më tani janë shpërndajmë 163,379.229 €uro, kurse numri i përgjithshëm i përfituesve të 20% është 52,092 ish punëtorë.

Agjencia Kosovare e Privatizimit është themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe është e shtrirë dhe vepron në të gjithë territorin e vendit. Agjencia ka mandatin dhe autoritetin për shitjen ose bartjen e ndërmarrjeve shoqërore dhe aseteve të tyre tek investitorët privat gjithnjë përmes një procesi të hapur, transparent, konkurrues dhe pa vonesa.

Rezultatet e ofertave mund të gjinden në linkun: https://www.pak-ks.org/page.aspx?id=1,106