MBLEDHJA E BORDIT TË DREJTORËVE TË AKP-SË 27.09.2021

Prishtinë    27/09/2021

Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, mbajti sot mbledhjen e tij të rregullt, ku u informua nga menaxhmenti i AKP-së lidhur me gjendjen e privatizimit dhe likuidimit.

Bordi i Drejtorëve në këtë takim diskutoi edhe mbi kompensimet e anëtarëve të Bordit. Me këtë rast mori vendim që kompensimi për anëtarë të Bordit të zvogëlohet në mënyrë lineare për 30%, si dhe vendosi që kompensimi për anëtarët e Bordit të Drejtorëve të bëhet mujor (fiks) duke eliminuar pagesat për takime, që efektivisht pothuajse përgjysmon kompensimin e anëtarëve të Bordit.

Për më tepër Bordi i Drejtorëve e udhëzoi Menaxhmentin që në kuadër të strukturës së re organizative dhe në përputhje me aktivitetin në ulje të AKP-së, të përgatis Rregulloren e re të pagave e cila do të reflektoj ulje të buxhetit pagave prej 30% për zyrtarët e lartë dhe stafin e AKP-së.

Bordi i Drejtorëve shqyrtoi dokumentet të cilat do të shërbejnë si bazë për përgatitjen e draft strategjisë për finalizimin e procesit të privatizimit duke konkluduar që deri në aprovimin e këtij drafti të vazhdoj pezullimi i shitjeve sipas kërkesës së Qeverisë, ndërkaq udhëzoi menaxhmentin që të vazhdohet me qiradhënie të rregullt të aseteve shoqërore sipas rregullores në fuqi për periudha 1 vjeçare me mundësi vazhdimi.

Pas shqyrtimit dhe diskutimit mbi buxhetin e AKP-së për 2021, Bordi i Drejtorëve paraqiti vërejtjet e tij dhe kërkoi sqarime shtesë lidhur me disa zëra buxhetor pas të cilave do të shqyrtoj dhe aprovoj buxhetin në mbledhjen e radhës.

Bordi miratoi unanimisht transferimin e fondeve të mbetura për 3 N.Sh., në shumën prej rreth 39 mijë euro, në Fondin e Konsoliduar të Republikës së Kosovës. Tutje Bordi i Drejtorëve miratoi Marrëveshjet e Mirëkuptimit në mes MPBAP dhe AKP për pagesën e shpronësimit për: Pronat e objekteve “Pallati i Mediave-Rilindja dhe Toka e N.Sh. “Drithnaja” (Zhitopormet); Objekti “Ish Banka e Lubjanës” (N.Sh. Banka e Lubjanës dhe N.Sh. Metal Holding); dhe Objekti “Barnatorja e Qytetit” Prishtinë. Veç kësaj, pas shqyrtimit Bordi i Drejtorëve miratoi rritjen e buxhetit për Ndërmarrjen në likuidim “Prishtina”. 

Në këtë takim Bordi vendosi që të themelojë Komitetin e Auditimit si dhe Komisionin për Vlerësimin e Performancës së Menaxhmentit për vitin 2020. Menaxhmenti e informoi Bordin lidhur edhe me dy me rastet e Arbitrazhit. Bordi i Drejtorëve shprehi mirënjohje për stafin e angazhuar në rastin e fituar në Gjykatën e Arbitrazhit ku palë ishin MiM Golesh kundër AKP-së.

Në këtë takim, Drejtori Menaxhues i AKP-së, Valon Tolaj, ia paraqiti dorëheqjen Bordit të Drejtorëve të AKP-së, duke e falënderuar Bordin e Drejtorëve për bashkëpunimin e deritanishëm. Bordi i Drejtorëve e pranoi dorëheqjen duke e falënderuar Drejtorin Menaxhues për kontributin e dhënë në punën e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.