NJOFTIM PËR MEDIA DHE TELEGRAM NGUSHËLLIMI FAMILJES MIKULLOVCI

Prishtinë    03/03/2023

AKP njofton opinionin publik se sot më 3 mars 2023 ndërroi jetë z.Nazmi Mikullovci, Kryetar i Bordit të Drejtorëve të AKP-së. Bordi i Drejtorëve të AKP-së, Menaxhmenti dhe personeli i AKP-së i shprehin ngushëllimet më të thella dhe të sinqerta familjes Mikullovci.

 

Z. Mikullovci ka qenë shëmbëlltyrë gjatë punës së tij profesionale përgjatë disa dekadave. Nga viti 1965 gjer më 1990 ka punuar në Trepçë, nga ku është larguar gjatë kohës së masave të dhunshme. Pas çlirimit të Kosovës, ka qenë në pozitën e Drejtuesit në Trepçë nga viti 2001 deri në vitin 2008. Për një periudhë disa vjeçare ka qenë anëtar i Bordit të Drejtorëve në KOSTT Kompania Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh.a.

Nga gusht 2021 e deri më tani, Z. Mikullovci ka qenë Kryetar i Bordit të Drejtorëve të AKP-së, i emëruar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Gjatë tërë karrierës së tij profesionale të gjatë, Z. Mikullovci i është përkushtuar plotësisht interesit publik dhe zhvillimit ekonomik të Republikës së Kosovës.

Bordi i Drejtorëve të AKP-së, Menaxhmenti dhe personeli i AKP-së i janë mirënjohës z. Mikullovci për udhëheqjen e tij, maturinë, zgjuarsinë, profesionalizmin dhe përkushtimin në punë. Ka qenë nder të punojmë nën udhëheqjen e tij vizionare për proceset kyçe të institucionit tonë.