MBLEDHJA E BORDIT TË DREJTORËVE TË AKP-së 17.10.2023
Prishtinë   
17/10/2023
Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) mbajti një mbledhje të jashtëzakonshme në të cilën u diskutua dhe miratuan vendime të rëndësishme që lidhen me proceset e privatizimit dhe likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore në përputhje me mandatin ligjor. Kjo mbledhje u zhvillua në kuadër të përmirësimeve të fundit të drejtpërdrejta të Agjencisë.
Gjatë kësaj mbledhjeje, Bordi analizoi raportin e tre-mujorit të fundit, i cili është dërguar rregullisht në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Për të siguruar një menaxhim sa më efikas të pasurisë publike, Bordi diskutoi dhe miratoi Raportin e hulumtimit dhe rivlerësimit të çmimeve të qirave të aseteve të ndërmarrjeve shoqërore. Ky raport është bazuar në vendimin e mëparshëm të Bordit për rivlerësimin e çmimeve të të gjitha qirave të aseteve në pronësi shoqërore, me qëllim të përshtatjes me çmimet aktuale të tregut. Ky proces i rivlerësimit ka përfshirë një numër të madh të kontratave aktive të qirave të aseteve në likuidim dhe aseteve nën administrim të drejtpërdrejt AKP-së, duke përfshirë edhe hartimin e kontratave të reja me qiramarrësit aktual. Rezultati i këtij procesi është rritja e të hyrave të përgjithshme për rreth 30%.
Një tjetër përmirësim që u diskutua dhe u miratua në këtë mbledhje është lidhur me kërkesën e Komunës së Gjilanit për rivlerësimin e qirasë për Qerdhen për Fëmijë. Bordi i ka lejuar Komunës së Gjilanit të vazhdojë me çmimin e deritashëm të qirasë për këtë aset, duke marrë parasysh interesin publik që ofrohet përmes shfrytëzimit të kësaj qerdhe.
Bordi ka diskutuar edhe kërkesën e Agjencisë Qendrore të Prokurimit për marrjen me qira të shfrytëzimit të pronës së Ndërmarrjes “Mekanizimi” në Prishtinë.
Si rezultat i hyrjes në fuqi të strukturës organizative të re nga data 1 Tetor 2023, Bordi ka miratuar disa amandamente të akteve nënligjore të AKP-së, duke përfshirë amandamentimin e Statutit të Bordit, Rregullores së Sekretarisë së Bordit, Procedurave Bankare të Fondeve në Mirëbesim, Rregullores për Investime në Letra me Vlerë, dhe Rregullores së Pagave të AKP-së.
Në vijim të përmirësimeve të këtij procesi, Bordi është përfshirë në shqyrtimin dhe aprovimin e shitjeve të aseteve me negocim direkt. Në këtë kontekst, janë shqyrtuar 13 kërkesa për negocim direkt, kurse janë aprovuar vetëm 2 nga to.
Bordi gjithashtu diskutoi për trajtimin e materialeve arkivore të Agjencisë dhe ndërmarrjeve shoqërore nën administrimin ligjor të AKP-së.
Kjo është një pasqyrë e përmirësimeve dhe vendimeve të fundit të Bordit të Drejtorëve të AKP-së, si pjesë e përpjekjeve për të ndryshuar dhe përmirësuar menaxhimin e pasurisë publike në Kosovë.