MBLEDHJA E BORDIT TË DREJTORËVE TË AKP-së 05.02.2024

Prishtinë    05/02/2024

Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit mbajti mbledhjen e radhës, ku ndër të tjera shqyrtoi dhe e miratoi Raportin vjetor të punës së Divizionit të Auditimit të Brendshëm për vitin e shkuar 2023. Gjithashtu shqyrtoi raportin mujor të Menaxhmentit, si dhe aprovoi propozimin për dhënie të pëlqimit për bartjen e pronësisë së ngastrës kadastrale nr. 1048-3 ZK Bresanë, pronë e N.Sh. Sharrprodhimi në likuidim në emër të KK Dragash, sipas Vendimit Përfundimtar të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Poashtu, Bordi shqyrtoi dhe aprovoi kërkesën e KK Rahovec për lejimin e punimeve lidhur me projektin “Sheshi Qendror i Qytetit” si interes publik i Komunës, për çka Qeveria e Republikës së Kosovës ka marr vendim preliminar për shpronësim të parcelave nr.1817-0 dhe nr.1318-1 në ZK Rahovec - pronë e N.Sh. Jugopetrol.

 

Bordi më tutje shqyrtoi dhe miratoi raportet e shpërndarjes për kreditorët e ndërmarrjeve shoqërore në likuidim: “IMN Kosova” dhe “Urata” (raport plotësues/shtesë).

Bordi gjithashtu shqyrtoi raportin mujor për ndërmarrjen shoqërore “Brezovica”, e cila është nën administrimin direkt të AKP-së.

U diskutua edhe për disa asete, për të cilat u vendos që të hiqet dorë, e të cilat barten në komunat Prishtinë dhe Gjilan pasi të aprovohen në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, si dhe vendosi për një numër të qiradhënieve të aseteve të N.Sh-ve, ndërkohë që ndër pikat tjera në këtë mbledhje ishte edhe raportit shqyrtues për përcaktim të statusit si N.Sh. për OBPB Stacioni i Veterinës, Podujevë, e cila pas shqyrtimit u aprovua statusi i kësaj N.Sh.-je dhe u përcaktua se bie nën autoritetin e AKP-së.